Organizatat jofitimprurëse janë subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur nga shteti. Për shkak të natyrës së tyre, çdo detyrim ligjor i vendosur ndaj OJF-ve, sidomos kur lidhet me pasoja financiare, duhet të jetë i arsyeshëm dhe të mos krijojë barrë të tepruar mbi to.
Në përputhje me Vendimin nr.62/2023 të Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit është shfuqizuar detyrimi për regjistrim fillestar i organizatave jofitimprurëse, kompetenca e kancelarit për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesat e OJF-ve për regjistrimet e tjera, si dhe masat administrative për shkak të mosplotësimit të kritereve të proporcionalitetit, paraqitet e domosdoshme ndërhyrja në Ligjin nr.80/2021 të ndryshuar, me qëllim plotësimin e boshllëqeve ligjore të krijuara.
Fillimisht Gjykata Kushtetuese u shpreh se detyrimi ligjor në fuqi lidhur me depozitimin e kërkesës për regjistrim fillestar apo regjistrime të tjera të detyrueshme në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e themelimit, jo vetëm që i detyron qytetarët të regjistrohen në gjykatë, pavarësisht vullnetit të tyre, por në thelb rezulton të jetë detyrim i ri, i krijuar pikërisht nga Ligji nr.80/2021, të ndryshuar. Për rrjedhojë, do të shfuqizohet ky afati detyrues.
Më tej, Gjykata ka vlerësuar se marzhi i gjobës nga 0.1% deri në 1% të të ardhurave vjetore të OJF-ve për shkelje si deklarimi i të dhënave të pavërteta në regjistrin elektronik (kur nuk përbëjnë vepër penale) dhe moskryerja e regjistrimeve të tjera brenda afateve ligjore, është disproporcional dhe krijon arbitraritet në përllogaritjen e gjobës. Për këtë arsye, është vendosur zëvendësimi i tyre me sanksion administrativ (gjobë fikse) prej 60,000 lekë.
Në përfundim, parashikimet ligjore të sipërpërmendura kanë për qëllim garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore, shmangien e abuzimeve dhe nxitjen e ndërgjegjësimit mbi respektimin e ligjit.