A mund të njihet Inteligjenca Artificiale si “Person Juridik”

Në takimin e përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror në Davos Janar 2026, historiani dhe autori Yuval Noah Harari ngriti një pyetje që tingëllon si skenar fantashkence, por që në fakt është një paralajmërim për të ardhmen e sovranitetit njerëzor:  A duhet ta njohim Inteligjencën Artificiale si “Person Juridik”?

Sipas studiuesit Harari, ne po bëjmë një gabim thelbësor kur e quajmë AI thjesht një mjet. Sipas tij, për herë të parë në histori kemi krijuar një teknologji që jo vetëm ekzekuton urdhra, por prodhon gjuhë, vendime, strategji dhe veprime që nuk kontrollohen drejtpërdrejt nga një mendje njerëzore. AI mund të hartojë kontrata, të hapë llogari bankare, të menaxhojë kompani dhe të ndërtojë mekanizma financiarë me një shpejtësi dhe kompleksitet që tejkalon kapacitetin njerëzor.

Harari paralajmëron për një skenar të ri: “miliarderë jo-njerëzorë”. Nëse AI-t i jepet status i ngjashëm me atë të korporatave, të cilat sot njihen si persona juridikë atëherë ajo mund të zotërojë asete, të drejtojë kompani dhe të grumbullojë kapital pa pasur drejtues persona fizikë. Imagjinoni korporata të menaxhuara plotësisht nga algoritme, që krijojnë produkte financiare aq komplekse sa askush nuk i kupton plotësisht. Kush mban përgjegjësi nëse diçka shkon keq?

Nëse një AI do të trajtohej si person juridik dhe do të merrte vendime që shkaktojnë dëm, a do të mbante përgjegjësi ligjore? Problemi është se një AI mund të kopjohet, të transferohet ose të riaktivizohet lehtësisht. Rreziku, në këtë rast, është që njerëzit të mbeten thjesht spektatorë në një sistem të drejtuar nga makineritë.

Studiuesi Harari e përshkruan AI-në si një “emigrant të ri” që udhëton me shpejtësinë e dritës, shkruan më mirë se ne, manipulon më shpejt se ne dhe mund të operojë në çdo vend njëkohësisht.

A do t’i lejojnë shtetet këta “agjentë AI” të veprojnë lirisht në rrjete sociale, në gjykata, në tregje financiare? Nëse shtetet nuk përcaktojnë qartë se cili do të jetë statusi ligjor i AI-t, ekziston rreziku që kjo inteligjencë artificiale të zhvillohet pa asnjë kufizim ligjor.

Mënyra se si e përkufizojmë sot AI si mjet apo si “agjent autonom” do të përcaktojë strukturën e pushtetit ekonomik dhe juridik të dekadave që vijnë. Pyetja më e rëndësishme nuk është nëse AI do të bëhet “person”, por nëse njerëzimi do të mbetet në qendër të sistemit që vetë e ka krijuar.

https://www.weforum.org/meetings/world-economic-forum-annual-meeting-2026/sessions/an-honest-conversation-on-ai-and-humanity-ca19ea8c96/