Një nga çështjet më të rëndësishme të vitit 2025 në fushën e së drejtës së mjedisit dhe klimës, trajtoi sfidat e vendimit të qeverisë norvegjeze të vitit 2016, në dhënien e licencave të reja për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit në zonën detare të Norvegjisë.
Aplikantët ishin dy organizata mjedisore dhe gjashtë individë, përfshirë anëtarë të popullit indigjen Sámi, të cilët pretenduan se ky vendim solli pasoja në rrezikun e dëmeve të rënda klimatike, duke shkelur nenet 2 dhe 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ata theksuan mungesën e një vlerësimi të duhur të ndikimit mjedisor dhe mungesën e transparencës në fazat e hershme të vendimmarrjes.
Në nivel ndërkombëtar, çështja lidhet me detyrimet që burojnë nga Konventa e Espo-s, Protokolli SEA dhe e drejta e BE-së, të cilat kërkojnë vlerësime të hershme, gjithëpërfshirëse dhe strategjike të ndikimit mjedisor për aktivitetet energjetike me rrezik të lartë.
Aplikantët individualë pretenduan se po përjetonin dëme të shëndetit, për shkak të ndryshimeve klimatike, përfshirë nxehtësinë ekstreme, përmbytjet, pasojat në shëndetin mendor dhe cenimin e mënyrës tradicionale të jetesës Sámi. Megjithatë, gjykata vlerësoi se aplikantët individualë nuk arritën të vërtetonin ndikimin e drejtpërdrejtë, përtej efektit të përgjithshëm që këto masa mund të kenë mbi publikun në tërësi, dhe për këtë arsye, nuk mund të legjitimohen për të pretenduar shkelje sipas Konventës.
Ndërsa për organizatat mjedisore Greenpeace Nordic dhe Young Friends of the Earth, Gjykata konstatoi se plotësonin kriteret për locus standi, duke qenë të themeluara ligjërisht, aktive prej vitesh në Norvegji dhe me rol aktiv në procese gjyqësore kombëtare. Ato përfaqësojnë një numër të madh qytetarësh dhe synojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontekstin e ndryshimeve klimatike, dhe se mund të ngrejnë pretendime lidhur me nenin 8, sidomos kur çështja prek procedurat mjedisore dhe të drejtën për pjesëmarrje publike.
Sipas Gjykatës, Norvegjia ka një sistem të fortë në kontrollin e ndikimit të projekteve të naftës dhe gazit mbi klimën. Çdo projekt kalon një vlerësim të plotë mjedisor para fillimit të prodhimit, përfshirë edhe emetimet nga djegia e naftës dhe nuk mund të miratohet nëse bie ndesh me objektivat klimatike.
Në përfundim, GJEDNJ nuk konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, megjithatë ky vendim shpreh dhe reflekton një standard të qartë vlerësimi mbi ndikimet klimatike dhe kontrollin juridik mbi vendimmarrjet shtetërore lidhur me projektet e naftës/gazit.
“Mjedisi nuk është prona e askujt për ta shkatërruar por është përgjegjësia e të gjithëve për ta mbrojtur.”- M.A