Ndotja Mjedisore – Shkelje e së Drejtës për Jetën (Neni 2 KEDNJ)

CANNAVACIUOLO KUNDËR ITALISË

Për herë të parë në jurisprudencën e Gjykatës Europiane, është konstatuar se ndotja mjedisore në nivele të larta të rrezikut për jetën konsiderohet shkelje e së Drejtës për Jetën sipas nenit 2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Çështja Cannavaciuolo kundër Italisë sjell në vëmendje një prej krizave më të thella të ndotjes mjedisore në historinë moderne të Italisë. Ajo përfaqëson jo vetëm një dështim të shtetit për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin publik, por edhe një ilustrim të qartë të ndërthurjes së krimit të organizuar me mungesën e reagimit institucional.
Zona e njohur si “Terra dei Fuochi” (Toka e Zjarreve) e vendosur në zemër të Campania-s, u shndërrua në një vend ku ligji heshti përballë ndotjes së qëllimshme dhe sistematike, duke lënë pasoja të rënda dhe të qëndrueshme mbi jetën e banorëve. Kjo çështje ngriti pikëpyetje mbi përgjegjësinë e shtetit dhe respektimit të të drejtës së qytetarëve për një mjedis të pastër dhe të sigurt.

Gjykata në vlerësimin e saj pranoi ekzistencën e një rreziku serioz dhe të vërtetë për jetën për shkak të fenomenit të ndotjes, duke aktivizuar Nenin 2 të Konventës dhe duke ngarkuar autoritetet me detyrimin për të vepruar. Ajo pranon se rreziku është i menjëhershëm dhe real, duke marrë parasysh faktin që aplikantët kishin jetuar për një periudhë të gjatë në zonat e prekura nga ndotja. Aplikantët nuk kishin detyrimin për të provuar lidhjen shkakësore mes ekspozimit ndaj ndotjes dhe shfaqjes së sëmundjeve sipas Gjykatës, dhe se, në përputhje me një qasje parandaluese, autoritetet kishin detyrimin të hetonin dhe vlerësonin rrezikun, pavarësisht mungesës së fakteve shkencore mbi efektet e sakta të ndotjes.

Në përfundim të kësaj çështjeje Gjykata Europiane konstatoi dështimin e autoriteteve shtetërore për të trajtuar fenomenin e ndotjes si shkelje të Nenit 2 të Konventës “E Drejta për Jetën”.

Duke qenë se ka patur një numër të madh aplikimesh të ngjashme të ngritura para Gjykatës kjo e fundit e vlerësoi të përshtatshme vënien në funksion të procedurës “gjykimi-pilot” për të adresuar problemin dhe për të siguruar kompensim të shpejtë dhe të përshtatshëm për viktimat. Me qëllim që shteti të përmbushë detyrimet e tij mbi këtë fenomen, Gjykata krijoi një strategji gjithëpërfshirëse për të adresuar ndotjen, duke përfshirë:

a.)   identifikimin dhe vlerësimin e zonave të prekura;
b.)  menaxhimin e rreziqeve;
c.)   hetimin e ndikimeve shëndetësore;
d.)   afate të qarta dhe burime të alokuara për implementim;
e.) raportim dhe vlerësim i vazhdueshëm i përmasave të ndotjes.

*Një kujtesë e fuqishme për të gjithë shtetet dhe shoqërinë*:

Ndotja mjedisore nuk është thjesht një problem ekologjik, por një çështje themelore e së drejtës dhe mbrojtjes së jetës.